Mbrojtësi Marcelo e ka vlerësuar titullin e fundit si më të rëndësishmin në karrierën e tij profesionale.
Ani pse është lojtari me më së shumti trofe në histori të Real Madridit, braziliani thotë se “Los Blancos” do ta kuptojnë se pse ky trofe është i veçantë.
Marcelo ishte titullar në finalen e Copa Libertadores, ku Fluminese triumfoi me rezultat 2:1 ndaj rivalit Boca Juniors, duke siguruar biletën për në Kupën e Botës për klube.
Marcelo që u bë ndër lojtarët e paktë që ka fituar Ligën e Kampionëve dhe Copa Libertadores deklaroi: “Real Madrid do të më kuptoj”.
“Në nivelin e klubit, është trofeu më i rëndësishëm në karreirën time sepse është klubi që më rriti”.
“Isha në borxh me Fluminesen. Njerëzit me kanë kritikuar. Tash Fluminese është kampion i Libertadores”.
“Urime për tërë grupin. Nga kryesori te pastruesit, e te sigurimi. Isha shumë nervoz por tani është vetëm gëzim”.
Marcelo u largua nga Reali si agjent i lirë në vitin 2022 pasi fitoi trofeun e pestë të Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit në Paris.
Ai te “Los Blancos” shijoi plot 25 trofe, përfshirë pesë herë Ligën e Kampionëve, katër Kupa të Botës për klube, tre Superkupa të UEFA-s, gjashtë tituj të La Liga-s, dy Kupa të Mbretit dhe pesë herë Superkupën e Spanjës.