Nga e mërkura në pikëkalimin kufitar në Glloboqicë, nisi implementimi i kontrollit “Hyrje – Hyrje”.
Por, kaq lehtë në korrikun e vitit 2024, këtu nuk kaloi ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani.
Ky i fundit u arrestua nga autoritetet maqedonase, pasi për të kishte një fletarrestim nga Serbia.
E njeriu i dytë në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, thotë se Serbia po vazhdon të krijojë probleme përmes Interpolit.
Por, Izet Mexhitit për Tëvë1, thotë se këto arrestime të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, shumë shpejt do të marrin fund.
“Serbia është anëtare në Interpol dhe përgjatë viteve të pasluftës në vazhdimësi ka krijuar probleme me ish-ushtarët e UÇK, jo vetëm në Maqedoni por edhe në vende tjera. Ne e kemi trashëguar këtë problem, nuk është problem i krijuar tani. E kam thënë edhe më herët, por e them edhe sot, në nivel të qeverisë së RMV, ka marrëveshje politike që trajtimi i ish-ushtarëve të UÇK të jetë i njëjtë siç është me Kroacinë, Slloveninë dhe vendet evropiane, mirëpo duhet vetëm operacionalizojmë, sepse ka disa modele dhe njërin prej tyre ta vejmë në funksion edhe në Maqedoninë e Veriut dhe një herë e përgjithmonë të mbyllet ky problem mes dy shteteve tona”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Arben Fetai, zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë në qeverinë Mickoski, thotë se këtë problem e trashëguan nga qeveritë e kaluara.
“Neve në këtë qeverisje fatkeqësisht na ka ra hise të kemi dy arrestime të tilla, të cilat u menaxhuan nga ana jonë në mënyrë të suksesshme. Për sa i përket thelbit të kësaj çështje, kjo është diskutuar në nivel bilateral në mes dy ministrave të drejtësisë dhe jemi duke e shqyrtuar modelin me të përshtatshëm në mënyrë që të mos përsëritën më skena të tilla, të dhimbshme edhe për neve shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, meqenëse shumë prej djemve tanë kanë qenë pjesë e UÇK-së dhe anasjelltas”, thotë ai.
Fetai premton se asnjë ish-pjesëtar i UÇK-së, nuk do të ekstradohet për në shtetin serb.
“Nuk bëhet fjalë për ekstradime asnjëherë. Sepse e thashë që ne si Maqedoni e Veriut jemi nder vendet e para që e ka njohur Republikën e Kosovës, ka sistem të drejtësisë të pavarur dhe madje ka edhe Gjykatë Speciale për krimet e supozuara të luftës dhe aty është adresa dhe rendi i brendshëm juridik i Kosovës i cili duhet të adresoj këto çështje dhe assesi Serbia”, thotë ai.
Ndryshe, edhe vet kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka thënë se kushdo që nuk i ka shkelur ligjet dhe Kushtetutën e shtetit të tij, mund ta vizitojë lirisht Shkupin.