Darko Kostadinovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese është shprehur në një intervistë për Agjencinë shtetërore të lajmeve MIA se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve “ka krijuar një lloj kaosi juridik, i cili ka rezultuar me kaos politik, mosbesim dhe dilema”.
Kostadinovski ka theksuar se ligji mund të shfuqizohet, të rishikohet duke bërë ndryshime në dispozita të caktuara apo të mbetet ashtu siç është.
Komentet e tij pasojnë nismën e partisë nacionaliste maqedonase “E Majta”, dërguar Gjykatës Kushtetuese pas miratimit të ligjit në vitin 2019.
“Ligji për Gjuhët” i jep një avancim të dukshëm përdorimit të gjuhës shqipe duke i dhënë statusin e gjuhës zyrtare, krahas maqedonishtes në komunat ku shqiptarët përbëjnë 20 përqind të popullatës, si dhe në komunikimin me institucionet e larta shtetërore.
Kostadinovski ka theksuar më tej në intervistë se “Gjykata Kushtetuese në asnjë rast nuk merr vendime politike, por vendime kushtetuese të cilat padyshim ndikojnë në çështje dhe procese të rëndësishme politike në shtet, por se gjërat, sipas tij nuk duhet shikiuar me emocione”.
Këto komente kanë hasur në reagimin e ashpër të Frontit Evropian, të drejtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim që vlerëson se bëhet fjalë për një skenar të qëllimshëm të pushtetit për provokim ndaj shqiptarëve.
“Mos e prekni gjuhën shqipe!”, thuhet në një komunikatë të Frontit Evropian, i cili vëren se hapja e temave si kjo dhe çdo vendim eventual në drejtim të cënimit të mekanizmave dhe të drejtave që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, nuk është asgjë tjetër veçse rikthim i Maqedonisë së Veriut në kohën para Marrëveshjes së Ohrit.
“Këto deklarata dhe veprime, janë skenaret e vërteta për destabilizim të vendit dhe tregojnë qartë se kush janë ata që dëshirojnë dhe provokojnë tensione”, thekson Fronti Evropian.
Ndërkohë, partitë e koalicionit “Vlen” që bën pjesë në koalicionin qeveritar e shikojnë nismën për mohimin e dygjuhësisë si një tentim për grusht shteti në Maqedonië e Veriut.
“Vlen” thekson përmes një komunikate se nëse një nismë e tillë eventualisht miratohet, atëherë hapet “Kutia e Pandorës“ dhe rrezikohen një sërë procesesh të arritura me shumë mund.
Si Fronti Evropian edhe “Vlen” thonë se dilemat janë konsumuar dhe zgjidhur në institucionin më të larë ligjvënës, në Parlament me shumicë dërmuese votash.
Ka reaguar edhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve, e cila i vlerëson si një aventurë të rrezikshme përpjekjet për zvogëlimin e të drejtës themelore për përdorimin e gjuhës shqipe.
Ndërkohë, partitë maqedonase VMRO-DPMNE në pushtet dhe Lidhja Social Demokrate në opozitë nuk kanë bërë komente lidhur me paralajmërimet e kreut të Gjykatës Kushtetuese.
Ligji për përdorimin e gjuhëve buron nga Marrëveshja e Ohrit që i dha fund konfliktit të armatosur midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave ushtarake e policore maqedonase në vitin 2001. /VOA/