Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se Serbia i ka të vendosura 70 për qind të kapaciteteve ushtarake në jug të saj, jo larg kufirit me Kosovën.
Këto deklarata ai i ka bërë në “A2CNN”, ku ka thënë se këto shqetësime i kanë ngritur edhe në takimet me partnerët ndërkombëtarë.
“Ne në vazhdimësi e ngritim si shqetësim prezencën e bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Kosovën” – u shpreh ai.
Tutje, Maqedonci përmendi edhe 48 bazat ushtarake të vendosura pranë kufirit.
“Diku 70 për qind e gjithë kapaciteteve ushtarake të ushtrisë së Serbisë janë të vendosura në jug të territorit të saj, pra jo larg Republikës së Kosovës, jo larg kufirit, dhe kësaj normal duke i shtuar edhe 48 bazat e përparme që gjithmonë ne vlerësojmë që paraqesin kërcënim, kur fqinji vendos forca ushtarake në kufi në një formë apo tjetër kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e atij vendi. Kjo nuk po bëhet rastësisht” – tha ministri i Mbrojtjes.