Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se procesi për emërimin e Gafurr Dugollit si sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes është ndjekur sipas procedurave të rregullta, duke u bazuar në rezultatet e kandidatëve dhe jo në lidhjet familjare.
Gafurr Dugolli, vëllai i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugollit, u emërua në këtë pozitë pasi përmbushi kriteret e kërkuara, sipas Maqedoncit.
Ministria ka shtuar se përzgjedhja është bërë duke u fokusuar në procesin e konkursit, jo në mbiemrat e kandidatëve.
“Unë besoj që do të vazhdonte njëjtë. Nuk ka qenë çështje e emrit e as mbiemrit. Edhe kur është përzgjedhur edhe kur është pyetur. Unë i shoh proceset nuk i shoh emrat. Normalist secili mund të jetë vëlla i dikujt. Dhe secili mund të jetë në një pozitë në institucione. Gafurri ka qenë pjese e TMK-s edhe MM, nuk ka qenë e ndërlidhur asgjë me emrin e Enver Dugollit. Vlerësojë që nuk mund të ia mohoj vëllau, vëllaut aplikim apo konkurrojë në një pozitë”, ka thënë Maqedonci në Debat Plus.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e kishte konfirmuar për Dukagjinin se ia kishte tërhequr vërejtjen Ministrisë së Mbrojtjes se Gafurr Dugolli u emërua nga Qeveria si Sekretar pa përfunduar afati i ankesave në KPMSHCK.
Maqedonci ka treguar për hapat që ndërmori për të ruajtur ligjshmërinë e procesit, duke kërkuar pezullimin e emërimit derisa të sqarohej çështja e ankesave, por se nuk mori përgjigje nga Qeveria.
Qeveria s’respektoi ligjin, emëroi Dugollin sekretar të ministrisë pa përfunduar afati i ankesave
“Kam pranuar një raport (nga burimet njerëzore të MM) që ka sugjeruar që është një proces i rregull, që njëri nga kandidatët, më saktësisht sekretari Dugolli ka marrë piktë e mjaftueshme për të qenë sekretar i Përgjithshëm i MM. Më pas, më 18 shtator nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, kam pranuar një njoftim, ku jam njoftuar se janë edhe dy ankesa në proces që nuk janë shqyrtuar. Dhe menjëherë kam marrë masa për të ruajtur ligjshmërinë e procesit. Dhe kam dërguar një kërkesë për anulimin e vendimit për emërimin e Gafurr Dugollit. Kam kërkuar shkarkimin duke iu referuar njoftimit që kam marr nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës. Më pas më datën 23 kemi pranuar një njoftim nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, që dy ankesat kanë qenë të pasafatshme, pra i ka hedhur poshtë ankesat dhe si i tillë procesi ka vazhduar të mbete i tillë siç ka qenë”, ka shtuar Maqedonci.