Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka njoftuar se gjatë mbledhjes së 24 të Grupit të Kontaktit për Mbrojtje të Ukrainës, në Raimstein të Gjermanisë, ka prezantuar pakon e re të ndihmës për Ukrainën të ofruar nga Republika e Kosovës.
Ministri Maqedonci tha se këtë muaj, Qeveria e Kosovës ka vendosur të dhurojë një flotë automjetesh që do ti dorëzohen Ukrainës.
“Ky akt mbështetjeje është një shenjë e pjesëmarrjes sonë aktive në Grupin e Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës. Ndihma e Kosovës për Ukrainën, ndonëse më e vogël krahasuar me disa nga donacionet tuaja, dëshmon vullnetin e popullit të Republikës së Kosovës për të ndihmuar popullin ukrainas në këto kohë të vështira”, ka shkruar ai.
Sipas ministrit Maqedonci, kjo mbledhje ishte e veçantë sepse prezentimi i pakos, e cila është e treta me radhë nga Republika e Kosovës, është bërë në prani të Presidentit Ukrainas, Volodymyr Zelenskyy i cili për herë të parë merr pjesë në këtë forum në Reimstein të Gjermanisë.
Maqedonci, ka thënë se Kosova si anëtare e Koalicionit të Deminimit do të vazhdojë mbështetjen e këtij partneriteti me kapacitete të ndryshme.
Ai premtoi se ndihma e Kosovës do të vazhdojë deri në fitoren përfundimtare të Ukrainës dhe popullit të saj.
Në mbledhjen e 24 të Grupit të Kontaktit për Mbrojtje të Ukrainës, Maqedonci ishte bashkë me Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.