24.6 C
New York
Sunday, July 13, 2025

Buy now

Maqedonci: Kosova është vonuar në padinë për gjenocid ndaj Serbisë, FSK po forcohen çdo ditë

- Advertisement -

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në emisionin Personale në RTV Dukagjini, ka deklaruar se Kosova është vonuar në ndërmarrjen e hapave ligjorë ndaj Serbisë për gjenocidin e kryer gjatë luftës, si dhe në përpjekjet për të dekriminalizuar përfytyrimin ndërkombëtar të ushtrisë serbe.

Ai theksoi se këto janë mangësi të kahershme që ende nuk janë adresuar në mënyrë të plotë nga institucionet e Kosovës, ndërsa nënvizoi se në aspektin e mbrojtjes, vendi ka shënuar progres të rëndësishëm.

Duke folur për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), Maqedonci u shpreh se situata aktuale e ushtrisë është shumë më e avancuar sesa katër vite më parë.

“Mund të themi jashtëzakonisht e ndryshme prej asaj që ka qenë të paktën para katër viteve, dhe kjo falë investimeve të jashtëzakonshme që Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë me blerje të armatimeve. Ne të gjitha armët i blejmë përmes sistemit ‘shtet me shtet’,” tha ai.

Sipas Maqedoncit, qëllimi i Kosovës është forcimi i kapaciteteve të saj mbrojtëse, duke synuar që ato të zëvendësojnë gradualisht praninë e KFOR-it.

“Mirëpo, unë vlerësoj që tani është koha që të komunikojmë dhe të bashkëpunojmë në ndërtimin e kapaciteteve tona dhe zvogëlimin e kapaciteteve të KFOR-it, për shkak se vendi ynë duhet të ndërtojë kapacitete të mjaftueshme për të mbrojtur veten,” theksoi ai.

Maqedonci foli edhe për raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat i cilësoi si ndër më të mirat që nga paslufta.

“Unë vlerësoj se janë ndër më të mirat që kanë qenë ndonjëherë gjatë historisë së Kosovës së pasluftës. Veçanërisht në aspektin e mbrojtjes kemi raporte jashtëzakonisht të mira. Zhvillojmë takime, zhvillojmë vizita, zhvillojmë planifikime, ushtrime të përbashkëta, bëjmë blerje ushtarake nga SHBA-të, pranojmë donacione të ndryshme,” tha ministri në detyrë.

Të ngjashme

Të fundit