Sadio Mane thotë se kishte refuzuar një lëvizje te Manchester United një vit para se të nënshkruante për Liverpool. Kur sulmuesi po binte në sy te Southampton, “Djajtë e Kuq” ishin të interesuar për të nënshkruar me sulmuesin senegalez.
Por Mane ka zbuluar se nuk ishte i bindur nga pretendimi i atëhershëm i trajnerit Louis van Gaal se ai do të ishte titullar i rregullt.
Mane u bashkua me Southampton nga Red Bull Salzburg në vitin 2014 për pak më pak se 12 milionë euro, një tarifë rekord e klubit në atë kohë dhe shënoi 25 gola në 75 paraqitje.
Por para se të shkonte në Anfield për një shumë deri në 36 milionë euro në qershor 2016, Mane kishte mundësinë të transferohej te United i Van Gaalit një vit më parë.
Megjithatë, ai duket se kishte dyshime se do të luante përpara lojtarëve si Ëayne Rooney, Robin van Persie dhe Angel Di Maria në ‘Old Trafford’.
Vendimi për të pritur rezultoi i duhur, pasi ai u bë një nga legjendat e Liverpoolit, duke i udhëhequr drejt Ligës Premier dhe Ligës së Kampionëve gjatë qëndrimit të tij gjashtëvjeçar.
Sadio Mane dhe Mo Salah
“Manchester United më telefonoi atë kohë, po flisja me Van Gaal. Rooney ishte aty, Di Maria ishte aty, Depay ishte aty. Kur nuk më transferuan mua, ata morën Martial”.
“Van Gaal më tha: ‘Mane, dua të vish te Manchester United’. Unë i thashë: ‘Vërtet?’ Ai më tha: ‘Po, fol me agjentin tënd. Je lojtar i mirë dhe mund të na ndihmosh, dhe ne mund të të ndihmojmë të bëhesh edhe më i mirë’”.
“Por unë e pyeta: ‘Ju keni Depay, Rooney, Di María, Van Persie… ku do të luaj unë?’ Sepse unë dua të luaj”.
“Ai më tha: ‘E njoh talentin tënd, je i mirë. Nëse stërvitesh mirë dhe lë përshtypje të mirë, do të luash. Por kemi edhe lojtarë të tjerë të mirë’”.
“Unë nuk u binda nga ajo që më shpjegoi. Ai më tha se do të luaja nëse isha i mirë, nëse jo, jo. Në atë kohë nuk isha gati, isha i ri dhe kisha nevojë për dikë që të më ndihmonte më shumë. Më duheshin edhe një ose dy vite për t’u bërë lojtari që doja të isha. Prandaj thamë: ‘OK, do të shohim’”, ka deklaruar Mane.







