Lord Mandelson ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga anëtarësia në Partinë Laburiste, duke thënë se nuk dëshiron të “shkaktojë më shumë turp” për partinë për shkak të lidhjeve të tij Jeffrey Epstein, i dënuar për abuzim seksual me të mitur.
Ish-ministri britanik u përmend sërish në dokumentet e reja të publikuara të premten nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, ku sugjerohet se Epstein kishte kryer tri pagesa nga 25 mijë dollarë, në total 75 mijë dollarë, në vitet 2003 dhe 2004, të lidhura me emrin e Mandelsonit.
Në një letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm të Laburistëve, Mandelson ka shkruar se ndihet “i keqardhur dhe i penduar” për situatën e krijuar, duke shtuar se pretendimet për pagesa financiare janë, sipas tij, të pavërteta dhe se nuk ka asnjë kujtim apo evidencë për to.
“Ndërkohë që këto çështje kërkojnë hetim nga ana ime, nuk dua të shkaktoj më shumë turp për Partinë Laburiste dhe për këtë arsye po largohem nga anëtarësia,” ka deklaruar ai.
Mandelson ka kërkuar falje “pa asnjë rezervë” për faktin që ka pasur lidhje me Epstein edhe pas dënimit të tij në vitin 2008, si dhe u ka kërkuar falje grave dhe vajzave që kanë qenë viktima të tij.
Deputeti laburist Gordon McKee ka deklaruar për BBC Radio 4 se viktimat e Epstein do të jenë “me të drejtë të indinjuara” nga zbulimet e fundit, duke shtuar se Mandelson ka bërë gjënë e duhur duke dhënë dorëheqje.
Nga ana tjetër, Partia Konservatore ka kritikuar kryeministrin Sir Keir Starmer, duke thënë se Mandelson duhej përjashtuar nga partia dhe jo të largohej vullnetarisht. Liderja konservatore Kemi Badenoch kishte kërkuar pezullimin e tij dhe nisjen e një hetimi zyrtar.
Dokumentet përfshijnë pasqyra bankare që tregojnë pagesa të lidhura me emrin e Mandelsonit nga llogaritë e Epstein në JP Morgan.
Një pagesë e vitit 2003 ishte drejtuar në një llogari të Barclays, ku përmendej edhe emri i partnerit të tij të atëhershëm, ndërsa dy pagesa të tjera në vitin 2004 ishin drejtuar në llogari të HSBC-së. Ende nuk dihet nëse këto pagesa janë realizuar përfundimisht.
Po ashtu, në dokumente janë përfshirë edhe fotografi të redaktuara të Mandelsonit, të cilat ai ka thënë se nuk i kujton rrethanat, vendin apo personat e përfshirë. Autoritetet theksojnë se përmendja në këto dokumente nuk nënkupton automatikisht fajësi.
Email-e të publikuara tregojnë se Mandelson kishte komunikuar me Epstein edhe pas dënimit të tij, përfshirë diskutime rreth politikave qeveritare për taksimin e bonuseve bankare në kohën kur Mandelson ishte sekretar i biznesit në qeverinë e Gordon Brown.
Ai ka mohuar se ka vepruar në interes të një individi të vetëm, raporton BBC.
Jeffrey Epstein vdiq në vitin 2019 në një burg në Nju Jork, ndërsa priste gjykimin për akuza të reja për trafikim seksual.





