Me Sir Jim Ratcliffe që është zyrtarizuar si aksionar i ri i klubit, Manchester United pritet të hyjë në një epokë krejtësisht të re, e cila premton shumë në krahasim me regjimin e zymtë të familjes Glazers.
INEOS tashmë kanë nisur punën e tyre me shefin në krye, duke përshpejtuar planet e tyre të zhvillimit të klubit.
Një drejtor sportiv dhe një shef i skautëve do të punësohen nga miliarderi britanik në mesin e planeve për të ardhmen e “Old Trafford”.
Tifozët shpeshherë janë ankuar për çatinë e vjetër të stadiumit e cila rrjedh sa herë që bie shi dhe për tualetet që mungon pastërtia.
Ratcliffe ka në plan që të ndërtojë një stadium të ri, por tifozët dhe ish-lojtarët nuk janë të bindur shumë nga kjo ide. Disa prej tyre janë kundër shkatërrimit të stadiumit, por ka disa limite të caktuara për rinovimin e tij për shkak të prezencës së linjës hekurudhore.
Për këtë arsye siç raporton Daily Mail, drejtuesit e klubit anglez kanë marrë vendimin për t’u konsultuar me tifozët para se të vendosin nëse do ta shkatërrojnë plotësisht “Old Trafford” apo do ta rinovojnë shtëpinë ikonë të klubit.
Deri më tani asnjë vendim nuk është marrë, por Ratcliffe dhe stafi tij thuhet se nuk e kanë me nxitim këtë çështje.