Tashmë është zyrtare: Gianluigi Donnarumma është futbollist i ri i Manchester Cityt.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi anglez përmes kanaleve të tij zyrtare.
Portieri italian arrin kështu në Angli nga Paris Saint-Germaini për një shifër që sillet afro 28 milionë euro.
Ky është njoftimi i klubit anglez: “Manchester City e ka nderin të njoftoj për transferimin e Gianluigi Donnarumma nga Paris Saint-Germain. Portieri italian, 26 vjeç, ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare, e cila do ta shohë atë duke qëndruar në Etihad Stadium deri në verën e vitit 2030. Gjatë karrierës së jashtëzakonshme, italiani e ka fituar një reputacion si njëri prej portierëve më të mirë në futbollin evropian. I gjatë, imponues dhe komandues, me 195 centimetrat e tij, Donnarumma arrin në Etihad i fortë dhe me një eksperiencë të nivelit elitar”, njofton Man City.
Ish-portieri i Milanit është sot pa diskutim më i miri në Evropë në pozitën e tij, ndërsa dha kontribut të madh në triumfin në Ligën e Kampionëve me PSG-në, por befasisht parisienët gjatë verës e njoftuan se nuk llogarisin më në shërbimet e tij pasi trajneri Luis Enrique kishte plane të tjera.