Manchester City do ta synojë shkëputjen në Premierligë sonte.
“Citizens” i kanë 86 pikë, aq sa i ka edhe Liverpooli, i cili fitoi mbrëmë ndaj Aston Villës 2:1.
Mirëpo, kampioni aktual anglez e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Këtë do ta bëjë ekipi nga “Etihad Stadium” sonte, teksa do të përballet me Wolverhamptonin në udhëtim
Wolves janë ekip mjaft i papërshtatshëm dhe po e synojnë një vend në garat evropiane.
Mirëpo, skuadra e Pep Guardiolës nuk ka vend për gabime pasi e presin tri finale, të cilat duhet t’i fitojë.
Me një fitore eventuale, City do ta rikthente distancën prej tri pikësh ndaj Liverpoolit, kur mbesin edhe dy xhiro deri në fund të këtij edicioni.
Ndeshja e sontme do të fillojë në orën 21:15.
Më pas, City do të luajë më 15 maj ndaj West Hamit dhe më 22 kundër Aston Villës, kur edhe mund ta festojë titullin e kampionit, nëse i fiton të tria takimet.
Nga ana tjetër, “Reds” do të luajnë me Southamptonin më 17 maj dhe me Wolverhamptonin më 22 të këtij muaji.