Politologu Albinot Maloku ka kritikuar gjuhën e Glauk Konjufca, duke thënë se ai nuk arriti ta mbajë figurën e matur dhe pajtuese për të cilën ishte vlerësuar së fundmi.
Maloku tha se Konjufca dështoi ta mirëmbante qasjen përafruese dhe shumë shpejt nxori në pah, siç e quajti ai, një “cilësi jashtëzakonisht jo të mirë” në diskursin e tij publik.
“Konjufca nuk arriti ta mirëmbante fuqishëm tonin përafrues jo më larg se këto ditë menjëherë duke nxjerrë prapë një cilësi jashtëzakonisht jo të mirë. Gjuha se ‘do t’i bëjmë tokë të zezë’ nuk është e shëndetshme”, deklaroi Maloku në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Sipas politologut, një diskurs i tillë nuk është i papritur, duke e cilësuar Konjufcën si figurë të paqëndrueshme në qëndrimet e tij publike.
“Nuk është se nuk e kam pritur këtë, për arsye se kemi të bëjmë me një figurë labile, në kuptimin e asaj se çfarë flet paradite dhe çfarë flet pasdite”, tha ai.
Maloku theksoi se deklaratat e fundit e kanë zhgënjyer veçanërisht për faktin se Konjufca kishte tentuar të shfaqej si figurë e maturuar dhe e përgjegjshme në skenën politike.
“Ajo që tha, konsideroj se nuk do të duhej të binte në asnjë mënyrë në atë nivel, sidomos pasi provoi të jetë një figurë e maturuar”, përfundoi Maloku. /






