Politologu Albinot Maloku ka thënë në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit “ka frymë politike”.
Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese do duhej të ishte profesionale dhe siç ka thënë ai nuk do duhej t’u ndihmonte politikanëve për situata që vet i krijojnë.
“Në kushte normale Gjykata Kushtetuese do duhej të ishte në vazhdimësi strikte, profesionale dhe mos ta ndihmonte politikën në situatën, politikanët ishin ata që e sollën situatën deri këtu dhe do të duhej të bënin zgjedhje. Unë shoh se ka frymë politike edhe përbrenda këtij aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Maloku në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ai ka thënë se ky aktgjykim është bërë për ruajtjen e rendit kushtetues, i cili sipas Malokut është prekur shumë.
“Mirëpo, ndoshta nga pasioni për të ruajtur një rend kushtetues, i cili është cenuar vazhdimisht sidomos pas vitit 2021, rendi kushtetues në Republikën e Kosovës është prekur fuqishëm dhe po vazhdohet të prekët”, ka thënë Maloku.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që dekreti i Vjosa Osmanin për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka efekt juridik.
Poashtu në aktgjykim është dhënë afat 34 ditë për zgjedhjen e presidentit.






