Pas humbjes 8:0 nga Vikinguri, Malisheva ka vendosur të ndahet me trajnerin Bekim Isufi.
Kjo u bë e ditur të hënën mbrëma.
Sipas njoftimit, largimi i Isufit u bë me marrëveshje të dyanshme.
Malisheva u mposht thellë në ndeshjen e kthimit në Islandë duke pësuar 8 gola, në kuadër të rrethit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Komunikata e plotë:
FC Malisheva njofton ndërprerjen e bashkëpunimit, me marrëveshje të dyanshme, me Kryetrajnerin Bekim Isufi, Trajnerin kondicional Arsim Tershani, Trajnerin e portierëve Diamant Kadriolli dhe Video analistin, Shkumbin Gërguri.
Klubi ynë shpreh mirënjohje të thellë për punën dhe përkushtimin e Kryetrajnerit Isufi, i cili gjatë një viti me FC Malisheva kontribuoi ndjeshëm në sukseset e klubit, duke siguruar pjesëmarrjen në garat e UEFA Conference League, dhe duke shkruar historinë për herë të dytë radhazi si klub.
Gjithashtu, jemi thellësisht falënderues për punën profesionale, përkushtimin dhe korrektësinë e Trajnerit kondicional Arsim Tershani, i cili dha një kontribut të çmuar në ngritjen fizike të ekipit.
Një falënderim i veçantë i shkon edhe Trajnerit të portierëve Diamant Kadriolli për punën dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm me portjerët tanë gjatë gjithë kohës së kaluar në klub.
Mirënjohës dhe falënderues edhe për Shkumbin Gërguri për punën dhe analizat profesionale për kohën sa ishte pjesë e jona.
Dyert e FC Malisheva do të mbeten gjithmonë të hapura për bashkëpunim të ardhshëm me Bekim Isufin, Arsim Tershanin, Diamant Kadriollin dhe Shkumbin Gërguri. Deri atëherë, ju urojmë shëndet dhe shumë suksese në rrugëtimin e tyre profesional.
Në ditët në vazhdim klubi do të bëjë emërimin e Kryetrajnerit të ri dhe kompletimin e shtabit teknik.