Sot ka përfunduar xhiroja e fundit e Superligës së Kosovës në futboll.
Kjo xhiro ka qartësuar gjithçka. Malisheva është skuadra e katërt kosovare që është kualifikuar në garat europiane, pasi me barazim e ka siguruar vendin e tretë.
Ndërsa, pas Feronikelit ’74, Suhareka është skuadra e dytë që sot ka rënë nga Superliga e Kosovës, derisa Llapi kampionatin e mbylli në pozitën e tetë, që çon në barazh.
Ekipi i Tahir Batatinës i fitoi pikët vendimtare ndaj Dukagjinit, me një fitore prej 3-1, dhe mbijetesën në Superligë do ta kërkojë në barazh kundrejt Vushtrrisë së Ligës së Parë.
Ndërsa Gjilani barazoi në Ferizaj 2-2 dhe përfundimisht nuk arriti të kualifikohet në Europë.
E, festë pati në Gjilan, ku Drita – e cila javë më parë e ka siguruar matematikisht titullin e kampionit – e festoi bashkërisht me “Intelektualët” titullin pasi edhe iu dorëzua trofeu nga FFK-ja, dhe këtë e bëri pasi fitoi 4-1 ndaj Feronikelit.