Mesfushori nga Argjentina, Agustin Rojas, i njohur me nofkën Tuco, është përforcimi më i ri te Malisheva.
Fantazisti që po vlerësohet si përforcim i rëndësishëm te Malisheva për mesfushën, të martën është prezantuar te skuadra e Superligës së Kosovës.
Së fundmi, Rojas ishte pjesë e Prishtinës së Re, ndërsa ka luajtur edhe në Shqipëri për skuadrën e Erzenit.
“Rojas apo siç e njohin të gjithë si Tuco, do t’i japë edhe më shumë cilësi e kreativitet mesfushës tonë cilësore”, ka shkruar Malisheva në njoftim.
Rojas ka gjasa të debutojë në ndeshjen ndaj Llapit, që Malisheva e luan në shtëpi këtë javë në kuadër të xhiros së tetë të elitës së futbollit kosovar.
Pas shtatë ndeshjeve të luajtura në Superligë këtë sezon, Malisheva renditet e pesta në tabelë me 10 pikë të tubuara.