Analisti politik, Agon Maliqi ka vlerësuar se propozimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për Draft – Statutin e Asociacionit tregon seriozitetin e situatës, duke besuar se ai ka ndërhyrë në këtë mënyrë për shkak të bindjes së tij se mosveprimet në Kosovë mund të kenë pasoja të mëdha.
Analisti politik, Agon Maliqi, ka diskutuar lidhur me Draft – Statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë të cilin e ka propozuar të enjten kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ai ka theksuar se ky propozim vjen nga serioziteti i situatës dhe përgjegjësisë së Shqipërisë si vendi i NATO-s, duke besuar se Rama ka ndërhyrë në këtë mënyrë për shkak të bindjes së tij se mosveprimet në Kosovë mund të kenë pasoja të mëdha.
“Mendoj se shumica kemi qenë të befasuar, por kjo e ilustron seriozitetin e situatës. Duhet ta kemi parasysh se Shqipëria është vendi i NATO-s, ka një përgjegjësi dhe pritshmëri nga aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë që ta luaj një rol në situatën në veri. Deri tani ka mbajtur një lloj distance dhe e ka respektuar Kosovën që t’i prijë këtij procesi”, ka thënë ai.
Maliqi ka vlerësuar se kryeministri Rama nuk do ta kryente këtë veprim pa qenë i sigurt për pasojat që mund të ndodhin.
Ai ka thënë se Shqipëria ka komunikim të vazhdueshëm me NATO-n dhe ka një përgjegjësi ndaj aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Pra duke filluar nga Qeveria e cila ka një vjet që nuk sjellë draft të Asociacionit, njëkohësisht edhe opozita e cila ndoshta nga frika e reagimeve politike se mos po del kundër kryeministrit është e heshtur. Dhe mendoj që Rama e ka marrë këtë nismë që të qarkullojë një dokument mbi të cilin mund të flasim”, ka deklaruar tutje ai.
Maliqi gjithashtu ka vlerësuar se Rama ka marrë këtë veprim bazuar në informacione të besueshme dhe e ka parë të nevojshme për ta çuar Kosovën larg nga ngërçit politik.
Në përfundim, Maliqi ka theksuar se shqetësimi kryesor është lufta në Ukrainë dhe dëshira për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Ai ka thënë se edhe Shqipëria e shikon në këtë kontekst intervenimin e saj në çështjen e Statutit të Asociacionit.