14.9 C
New York
Monday, November 10, 2025

Buy now

Maliqi: Prishtina mbetet qytet historikisht opozitar

- Advertisement -

Njohësi i politikës, Agon Maliqi, ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve lokale që përfunduan sonte në Kosovë, duke theksuar se ndarja politike në vend po merr gjithnjë e më shumë përmasa gjeografike dhe strukturore.

Në një analizë të shkurtër pas mbylljes së votimeve, Maliqi tha se Prishtina vazhdon të mbetet qytet historikisht opozitar, me një dallim të vogël përqindjeje që, sipas tij, “është përcaktuar më shumë nga kundërshtia ndaj arrogancës së nivelit qendror sesa nga kënaqësia me nivelin lokal”.

“Prishtina si ‘melting pot’ është edhe tregues i pulsit nacional: 52 me 48 është pikërisht edhe raporti në Kuvendin e Kosovës ndërmjet ish-opozitës dhe Vetëvendosjes”, shkroi Maliqi.

Ai theksoi se Vetëvendosja ka arritur fitore aty “ku ka kontroll mbi ndërmarrjet publike dhe punësimet, si në Obiliq e Fushë Kosovë”, apo në komunat ku “Kurti ka derdhur gjithë kapitalin dhe narracionin e tij personal politik, si në Mitrovicë”.

Sipas Maliqit, figura e kryeministrit Albin Kurti nuk po përkthehet në sukses lokal për aq kohë sa mungon “elementi patronazhist”. Ai shton se, ndonëse VV ka rritur numrin e komunave të fituara, “numri mbetet dukshëm më i vogël se ai i partive të ish-opozitës” – me raportin 7 me 22 në favor të këtyre të fundit.

Në analizën e tij, Maliqi vë në pah se po krijohet një ndarje e thellë lindje–perëndim në hartën politike të Kosovës:

“VV po konsolidohet me 55-60 për qind si forcë dominuese e brezit kufitar me Serbinë – komunat ‘ekonomikisht humbëse’ të 25 viteve të fundit, të prekura nga deindustrializimi dhe kufijtë e mbyllur tregtarë”, shkruan ai.

Ndërsa ish-opozita, sipas tij, mbetet e fortë në rajonet perëndimore dhe jugore të vendit – në Pejë, Prizren, Gjakovë dhe Ferizaj – të cilat Maliqi i përshkruan si “ekonomikisht fituese” të periudhës së pasluftës, me lidhje më të hapura tregtare dhe më pak ndjeshmëri ndaj populizmit nacionalist.

“Ato janë qytete që kanë parë ndryshime të mëdha ekonomike e infrastrukturore dhe ku krahasimi mes para luftës e pas luftës është si nata me ditë,” përmbyll Maliqi.

Të ngjashme

Të fundit