Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi ka thënë se hyrja në NATO nuk bëhet pa njohjen e katër shteteve anëtare dhe shton se ky është proces që zgjatë disa vite.
Ai tha se synimi kryesir i Kosovësduhet të jetë hyrja në NATO, por se nuk duhet të jemi shumë entuziast kur kemi parasysh këto fakte.
“Synimi kryesor i Kosovës duhet të jetë hyrja në NATO, por para se t’ju kapë shumë entuziazmi, kjo nuk bëhet pa njohjen e katër shteteve anëtare dhe është proces që zgjatë disa vite dhe i cili e kërkon mes tjerash edhe miratimin e parlamenteve të vendeve anëtare”, ka shkruar Maliqi.
Ai shtoi se në këtë situatë kaotike, çdo hap dhe veprim duhet të jetë i koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të tregohet kujdes ndaj përpjekjeve ruse për destabilizim.
“Sidoqoftë, në mungesë të anëtarësimit në NATO dhe duke qenë kjo situatë kaotike, në këto momente mbetet kyçe që çdo hap dhe veprim të jetë i koordinuar me SHBA, dhe mbi të gjitha të tregohet kujdes ndaj përpjekjeve ruse për destabilizim. Kjo e përfshin edhe kujdesin e shtuar në mesazhet politike ndaj pakicës serbe e cila në asnjë moment nuk guxon të ndihet e kërcënuar”, shkroi Maliqi.
Ndryshe, kërkesa e ministrit të mbrojtjes Armend Mehaj që Kosova të anëtarësohet në NATO dhe të krijohet një bazë amerikane ushtarake në Kosovë ka marrë përkrahje në rrjete sociale.
Vetëm gjatë orës së fundit ajo është shkruar 2.221 herë në rrjetin social Twitter në Kosovë.