Politologu Agon Maliqi është shprehur i brengosur me mungesën e kompanive lobuese në Uashington.
Ai ka bërë me dije se sot në kryeqytetin amerikan për nga mjetet e shpenzuara për lobim dominon Serbia.
Sipas tij, ky shtet ambasadën në SHBA e ka shumëfishuar me staf.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se lobimi në këtë kryeqytet është shumë i rëndësishëm.
Maliqi ka treguar se para disa vitesh Kosova në Uashington e ka pasur rrjetin më aktiv dhe efektiv të mbështetësve prej gjithë vendeve të Ballkanit.
“Pse Kosova nuk ka angazhuar kompani lobimi në Uashington D.C dhe në kryeqendrat e mëdha? Ato luajnë rol shumë të rëndësishëm. Para disa vitesh Kosova në Uashingon e ka pasur rrjetin më aktiv dhe efektiv të mbështetësve prej gjithë vendeve të Ballkanit – aq sa shumë shtete fqinje na kanë pasur lakmi për qasjen te vendimarrësit. Sepse ashtu funksionon ai qytet politik. Sot atje për nga mjetet e shpenzuara për lobim dominon Serbia, Gjuriq edhe ambasadën e ka shumëfishuar me staf, ndërsa mbështetësit e Kosovës shumica angazhohen vullnetarisht dhe as nuk konsultohen prej qeverisë sonë. A vjen kjo qasje prej neglizhencës, injorancës apo është e qëllimshme? Prej bindjes naive se Kosovën e çojnë përpara argumentet e forta morale? Sidoqoftë, mos u habisni pastaj se “po na keqkuptojnë” kur shumicën e plagëve i shkakton Kosova vetë”, ka shkruar ai.