Politologu Agon Maliqi ka komentuar planin e BE-së, i cili u është prezantuar palëve në takimin e djeshëm.
Ai është shprehur i habitur se pse kryeministri Albin Kurti e ka mohuar ekzistimin e këtij propozimi.
Në profilin e tij në “Facebook”, Maliqi ka shkruar se mbetet e paqartë se përse Kurti dje thoshte se propozimi i tij ishte i vetmi.
“Ky është propozimi i BE-së në takimin e djeshëm për rrjedhën e hapave në zbatimin e marrëveshjes, të cilin e ka pranuar Vuçiq dhe e ka refuzuar Kurti. Përmbajtja e tij është konfirmuar tashmë edhe nga mediat dhe nga BE. Mbetet e paqartë se përse kryeministri thotë se propozimi i tij ishte i vetmi. Sipas planit të ndërmjetësuesve, me NISJEN e negociatave për statut të “vetëmenaxhimit” automatikisht hiqen fusnota dhe përfaqësimi i Kosovës me UNMIK”, ka shkruar Maliqi.
Ai ka përmendur edhe pika të këtij propozimi.
“Parelelisht me KRIJIMIN e “vetëmenaxhimit” zhbëhen strukturat e Serbisë në Kosovë dhe bëhet njohja e dokumenteve dhe simboleve shtetërore. Miratohet plani i veprimit për zbatimin e marrëveshjeve paraprake dhe nga Kosova FORMALIZOHET statusi i kishës. Si rezultat i kësaj shkëmbehen misionet diplomatike dhe Serbia nuk e konteston anëtarësimin e Kosovës në ASNJË organizatë ndërkombëtare. E kështu me radhë”, ka shkruar Maliqi.