-1.5 C
New York
Wednesday, December 17, 2025

Buy now

Maliqi: Kosova në pozitë të cunguar në rajon bashkë me Serbinë – e shet sukses heqjen e pjesshme të masave

- Advertisement -

Politologu Agon Maliqi ka zbërthyer situatën komplekse gjeopolitike në prag të samitit BE-Ballkani Perëndimor, ku shkroi se si lojërat e presidentit serb Vuçiq po dështojnë, Shqipëria që po përparon më hapa të shpejtë në negociatat për anëtarësim në BE dhe se si Kosova mbetet e bllokuar në këtë vorbull – duke trumpetuar ‘sukses’ me heqjen e një pjese të masave:

“Serbia ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në samitin e nesërm BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel. Vuçiq është gjasmë i frustruar sepse: a) BE po refuzon të hap kapituj negociatash anëtarësimi me Serbinë për të katërtin vit radhazi; b) Shqipëria sivjet i hapi të gjithë kapitujt me shpejtësi rekord; c) Mali i Zi sapo i mbylli 5 kapituj, dhe do të nis punën për draftin e Traktatit të Anëtarësimit. BE duket e vendosur që të mos i tolerojë më lojërat gjeopolitike të Vuçiq dhe po ecën përpara me anëtarësimin e shteteve që po tregojnë gatishmëri për t’i kryer detyrat.

Në anën tjetër, Vuçiq po përballet edhe me presionin prej Rusisë kryesisht në lidhje me fatin e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), të sanksionuar nga SHBA për shkak te pronësisë nga Gazprom. Rusia po refuzon ta shesë, Serbia po heziton na “shtetëzojë”. Kërcënimet kanë marrë natyrë tipike ruse. Përfaqësuesi i një ndërmarrjeje serbe të shitjes së armëve u vra në rrethana misterioze në Moskë. Mediat e afërta me qeverinë në Beograd po shprehin dyshime për motive politike të ndërlidhura me shitjen e armëve Ukrainës. Vuçiq, spekulohet, dyshon se Moska është edhe prapa rrjedhjes së informatave për “Sarajevo Safari”.

Nuk mungojnë as komplikimet në raportet me Amerikën. Jared Kushner, dhëndri i Trump, u tërhoq nga projekti investues hotelier në Beograd, pasi prokurorët në Serbi konstatuan korrupsion në procedurat e procesit.

Megalomani Vuçiq po zbulon se Serbia është e vogël për të luajtur lojëra të mëdha, dhe në përpjekje për të qenë mirë me të gjithë po mbetet mirë me askend.

Aty në pozitë të cunguar në rajon bashkë me Serbinë e tij ndodhet edhe Kosova, e cila sot si sukses e shet heqjen e pjesshme të masave të BE për projekte emergjente në vlerë 34 milionë euro. Dhe atë falë sistemit të vet të drejtësisë, i cili e përmbysi vendimarrjen e paligjshme të KQZ në lidhje me pjesëmarrjen e Listes Serbe në zgjedhje.”

Të ngjashme

Të fundit