Qeveria e Malit të Zi do të paguajë 1.6 milionë euro si kompensim për familjet e viktimave civile të luftërave në vitet ’90.
Me këtë vendim, Mali i Zi “korrigjon një padrejtësi shumëvjeçare”, deklaroi kryeministri malazias, Millojko Spajiq, pas mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 25 prill.
Vendimi u ndërmor dy muaj pasi Kuvendi i Malit të Zi votoi për ndryshime në Ligjin për mbrojtjen e veteranëve dhe invalidëve, ndryshime të cilat u japin të drejtë familjeve të viktimave civile të luftës për kompensim ose ndihmë sociale.
Ligji iu referohet shtetasve të Malit të Zi të cilët – si civilë – kanë humbur jetën ose janë zhdukur gjatë konflikteve të armatosura në hapësirat e ish-Jugosllavisë që nga gushti i vitit 1990.
Me vendimin e Qeverisë të Malit të Zi, do të kompensohen 16 familje me nga 100 mijë euro secila.
Rastet që përfshihen në kompensim janë dëbimi i refugjatëve nga Bosnja dhe Hercegovina në vitin 1992, rrëmbimi i boshnjakëve nga treni Beograd-Bar në Shtërpci në vitin 1993 dhe ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999.
Policia e Malit të ZI në vitin 1992 ia dorëzoi dhjetëra refugjatë nga Bosnja dhe Hercegovina ushtrisë së Republikës Srpska të Radovan Karaxhiqit, prej të cilëve shumica u vranë menjëherë. Në këtë rast, kompensimi i takon familjes të Osma Bajroviqit.
Pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës Sërpska, një vit më vonë, në vitin 1993, vranë 20 persona që udhëtonin me trenin në linjën Beograd-Bar. Në mesin e tyre ishin edhe tetë qytetarë nga Mali i Zi.
Rasti i fundit ka të bëjë me viktimat e bombardimeve të NATO-s më 1999 ndaj Jugosllavisë së atëhershme, të cilat nisën pas dështimit të negociatave në Rambuje për dhënien fund të luftës në Kosovë. Në Mal të Zi, atëbotë u vranë shtatë civilë.
Nga Qeveria e Malit të Zi theksuan më 25 prill se kompensimi për familjet përfaqëson një hap drejt ballafaqimit me të kaluarën dhe ka rëndësi të madhe simbolike dhe praktike për rindërtimin e besimit në institucionet shtetërore dhe për ndërtimin e solidaritetit ndërnjerëzor./REL