Ish-sulmuesi i Romës dhe Juventusit, Mirko Vucinic do të jetë trajneri i tetë i Malit të Zi që nga shpallja e pavarësisë, pas Zoran Filipoviq, Zlatko Kranjçar, Branko Bërnoviq, Ljubisha Tumbakoviq, Faruk Haxhibegiq, Miodrag Raduloviq dhe Robert Prosineçki.
Ajo që ishte paralajmëruar ditët e fundit u konfirmua sot nga Bordi Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, legjenda kroate, Prosineçki nuk është më trajner i “Shqiponjave”.
“Nuk ka nevojë të kërkohet një shpjegim për arsyet e këtij vendimi, pasi për pothuajse dy cikle të plota, Mali i Zi nën drejtimin e Prosineçkit nuk ka bërë as përparimin më të vogël, përkundrazi, ka bërë hapa pas”, shkruan gazeta malazeze Vijesti.
Vendin e tij deri në fund të kualifikueseve e mori Mirko Vuçiniq, sulmuesi legjendar malazez që ka qenë pjesë e stafit teknik të Malit të Zi gjatë viteve të fundit, nën Prosineçkin dhe Miodrag Raduloviçin.
Në fund të kualifikueseve të Kupës së Botës, saktësisht në dhjetor, do të dihet nëse Vuçiniq do të marrë besimin e plotë apo presidenti Dejan Saviçeviq dhe FSCG do të fillojnë kërkimin për një trajner të ri.