Erling Haaland po përjeton ndoshta sezonin më të rëndësishëm të karrierës së tij, duke u kthyer në hero kombëtar të Norvegjisë.
Me 16 gola të shënuar vetëm në kualifikimet për Kupën e Botës, ai ka udhëhequr i vetëm – me forcë, talent dhe vendosmëri – rikthimin historik të Norvegjisë në Botërorin 2026, një ëndërr që norvegjezët e kanë pritur për dekada.
Ky kualifikim është i jashtëzakonshëm për një arsye të madhe: Norvegjia nuk ka luajtur në një Kampionat Botëror që nga viti 1998, kur ekipi i drejtuar nga Egil Olsen u paraqit për herë të fundit në Francë dhe realizoi një nga fitoret më të mëdha në historinë e tyre, ndaj Brazilit.
Pas 28 vitesh mungesë, pikërisht Haaland është njeriu që e ka rikthyer vendin e tij në skenën më të madhe të futbollit botëror.
Në këtë edicion, sulmuesi i Manchester Cityt ka qenë thjesht i pandalshëm. 32 gola të shënuar për klubin dhe kombëtaren e bëjnë atë një nga lojtarët më produktivë të planetit.
Me Norvegjinë ka arritur në shifra që sfidojnë çdo rekord: 55 gola në vetëm 48 ndeshje, një mesatare fenomenale që e vendos Haalandin jo vetëm si golashënuesin më të madh të historisë së vendit, por edhe si një nga sulmuesit më efikas në botë.
Kontributi i tij ka qenë i gjithanshëm – jo vetëm gola, por edhe prani, besim dhe frymë pozitive që ka mobilizuar krejt ekipin.
Në ndeshjet vendimtare, Haaland ka marrë përgjegjësinë në momentet më të vështira dhe i ka zgjidhur ato me qetësi prej kampioni, duke shënuar gola të klasit botëror që kanë vulosur fatin e grupit.
E tillë ishte edhe ndeshja mes Italinë, ku edhe fitorja nuk nevojitej, ai shënoi dy herë në portën e Gianluigi Donnarummas, në fitoren 4-1.
Në Norvegji, tifozët flasin për të si për një simbol të rilindjes së futbollit norvegjez. Stadiumet janë mbushur, biletat janë shitur brenda pak minutash dhe një gjeneratë e tërë e të rinjve tashmë ëndërrojnë të imitojnë Haalandin, i cili po bëhet figurë e pakrahasueshme e sportit në vend.
Rikthimi në Kupën e Botës 2026 nuk është thjesht sukses sportiv – është moment historik. Dhe në qendër të këtij kapitulli të artë të futbollit norvegjez qëndron një emër: Erling Braut Haaland, heroi që e bëri të mundur.









