Mike Maignan i ka bërë me dije Milanit se do t’i bashkohet Chelseat ose këtë verë, ose në vitin 2026 si lojtar i lirë, sipas asaj që raporton L’Equipe.
Portieri ishte gati të nënshkruante kontratën e re në muajin mars, por procesi u shty për shkak të pasigurisë që lidhej me trajnerin e ri dhe drejtorin sportiv, çka e la hapur mundësinë që lojtari të fillonte të dyshonte për të ardhmen e tij te kuqezinjtë.
Fakti që Milani nuk arriti të sigurojë një vend në garat europiane e shtoi edhe më tej pasigurinë, dhe as trajneri i ri Max Allegri nuk ka mundur ta qetësojë situatën.
Pas një oferte fillestare prej 15 milionë eurosh nga Chelsea që u refuzua, gazeta franceze L’Equipe raporton se Maignan i ka vënë një ultimatum Milanit.
Ai do t’i bashkohet Chelseat, ose këtë verë me një shumë transferimi, ose verën e ardhshme si lojtar i lirë, duke bërë të qartë se nuk ka ndërmend të negociojë një kontratë të re.
Sipas gazetarit italian Gianluca Di Marzio, kërkesa e Milanit është 23.7 milionë euro, por Chelsea është optimist se, për shkak të qëndrimit të portierit, mund të mbyllë marrëveshjen për 18 milionë euro.
Ndërkohë, kuqezinjtë kanë nisur tashmë kërkimin për zëvendësuesin e Maignan dhe janë në bisedime me portierin e Torinos, Vanja Milinković-Savić.