Presidenti francez, Emmanuel Macron, do të presë deri të premten para se ta njoftojë zgjedhjen e tij për kryeministrin e ri të vendit, sipas Pallatit Elysee, në përpjekje për t’i dhënë fund krizës politike disamujore.
Tetë ditë pasi deputetët francezë e rrëzuan kryeministrin Michel Barnier përmes mocionit të mosbesimit, Macroni e ndërpreu para kohës së planifikuar vizitën në Poloni të enjten dhe pritej që në vend të kthehej me emrin e kryeministrit të ri, raporton televizioni BBC.
Megjithatë, pasi aeroplani i tij aterroi në bazën ajrore “Villacoublay” afër Parisit, rrethi i presidentit tha se një deklaratë nuk do të dilte deri të premten në mëngjes.
Politika e Francës ka qenë në ngërç që nga shpallja e zgjedhjeve të parakohshme nga presidenti verën që shkoi dhe ky do të jetë emërimi i katërt i një kryeministri këtë vit.
Sipas një sondazhi të BFMTV-së të enjten, 61 për qind e votuesve francezë ishin të brengosur rreth situatës politike.
Macroni është zotuar se do të qëndrojë në postin e presidentit derisa të përfundojë mandati i tij i dytë më 2027, pavarësisht nga rënia e Barnierit javën e kaluar.
Ai tashmë ka zhvilluar bisedime me udhëheqës të të gjitha partive kryesore, me përjashtim të LFI-së së të djathtës ekstreme të Jean-Luc Melenchon-it dhe partisë po ashtu të së djathtës ekstreme të zonjës Marine Le Pen.