Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është shprehur “shumë skeptik” për arritjen e një paqeje afatshkurtër mes Rusisë dhe Ukrainës, duke theksuar se “nuk ka vullnet nga ana ruse për paqe”.
Në një deklarim me rastin e katërvjetorit të nisjes së luftës, Macron tha se aktualisht nuk sheh gatishmëri reale nga Moska për t’i dhënë fund konfliktit.
Ai bëri thirrje për më shumë mbështetje ndaj Ukrainës dhe njëkohësisht ushtroi presion mbi udhëheqësit e Bashkimit Evropian që të sigurojnë disbursimin sa më të shpejtë të kredisë prej 90 miliardë eurosh për Kievin.
“Do ta realizojmë këtë, nuk kemi zgjidhje tjetër,” deklaroi ai, raporton The Guardian.
Macron kërkoi gjithashtu vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, përfshirë masa kundër asaj që quhet “flota hije”, me qëllim – sipas tij – “shkatërrimin e modelit të saj të biznesit”.
Sa i përket garancive të sigurisë për Ukrainën, presidenti francez tha se ato janë “duke u finalizuar” dhe se duhet të dakordohen në terma konkretë.
Në fund të fjalës së tij, Macron shprehu admirim dhe solidaritet me popullin ukrainas, në kohën kur Evropa shënon katër vjet nga fillimi i luftës.






