Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka ripohuar se nuk përjashton mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë, duke thënë se “legjitimiteti” për këtë çështje mund të rritet nëse Rusia thyen vijat e fronit të Ukrainës, por edhe nëse vetë Kievi e kërkon këtë.
Macron ka thënë për The Economist që ai “nuk përjashton asgjë” sepse Evropa është “duke u përballur me dikë i cili nuk përjashton asgjë”. Këto komente i ka bërë kur është pyetur lidhur me deklarimet e tij të mëparshme për dërgimin e trupave perëndimore.
Macron ka thënë se “nëse Rusia ka vendosur për të shkuar më tej, ne do të… në çfarëdo rasti, duhet t’ia bëjmë vetes këtë pyetje” për dërgimin e trupave, duke përshkruar përjashtimin e mundësisë si “një thirrje zgjimi për homologët”.
Ai e ka përshkruar Rusinë si fuqi rajonale e destabilizimit dhe kërcënim për sigurinë evropiane.
“Kush mund të pretendojë që Rusia do të ndalet? Cila do të jetë siguria për vendet fqinje, Moldavinë, Rumaninë, Poloninë, Lituaninë dhe të tjerët?”.