Pas përfundimit të samitit mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së, së bashku edhe me drejtuesit institucioneve të unionit, pasditen e djeshme, mbajtën takim të brendshëm.
Nga ky takim, dolën edhe konkluzat të cilat u publikuan në orët e vona të mbrëmjes të së enjtes.
Sidoqoftë, para publikimit të këtyre konkluzave, presidenti i Francës, Emanuel Macron, vendi i të cilit deri në fund të këtij muaji mban presidencën e radhës së BE-së, Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian dhe Charles Michel, president i Këshillit Evropian, mbajtën një konferencë për media.
Macron foli për temat mbi të cilat 27 liderët e vendeve anëtare të unionit janë dakorduar. Ndonëse pa vendime të veçanta, ai foli edhe për Ballkanin Perëndimor, e specifikisht për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, raporton RTKlive.
“Do të bëjmë çfarë është në mundësinë tonë që Parlamenti i Bullgarisë të lëvizë në mënyrë që Maqedonia e Veriut të bëjë hapin e fundit, sepse tashmë kanë bërë kaq shumë”, tha Macron, duke iu referuar vetos bullgare, që Maqedonia e Veriut të mos marrë datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.
Një veprim i tillë ka bërë që edhe Shqipëria të penalizohet sepse është vendosur në pako me këtë shtet, raporton RTKlive.
“Tashmë ata kanë marrë shumë rreziqe dhe në ditët e javët në vazhdim duhet të jemi në gjendje të lëvizim. Kjo vlen edhe për Shqipërinë”, tha presidenti Macron.
Sigurisht, ai nuk la pa përmendur edhe Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.
Kjo pasi udhëheqësit e BE-së vendosën të enjten t’i japin Ukrainës dhe Moldavisë, zyrtarisht statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Një status të tillë, u tha se do t’i jepet edhe Gjeorgjisë, sapo ajo t’i adresojë prioritetet e nevojshme.
“Prandaj të gjithë fqinjët tanë duhet të shohin, pra Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Ballkani Perëndimor, se ata janë më shumë se asnjëherë më parë esencialë për BE-në”, tha presidenti Macron.
“Kjo, sepse lufta është rikthyer në tokën evropiane. Prandaj në këtë kontekst ne do të diskutojmë”.