-0.8 C
New York
Thursday, January 30, 2025

Buy now

Macron e Scholz i shkruajnë edhe Kurtit pas Vuçiqit: E njoftojnë me emisarët e ri, i kërkojnë gatishmëri për dialogun

- Advertisement -

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letër të përbashkët nga Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Në letër thuhet se për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale dhe në këtë drejtim, Franca e Gjermania kanë ngarkuar me punë këshilltarët e tyre për politikë të jashtme dhe sigurisë Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, për të mbështetur direkt Miroslav Lajčak në përpjekjet e tij.

Gjithashtu në këtë letër thuhet se tensionet e kohëve të fundit kanë treguar se hapat konstruktivë në rrugën përpara janë urgjentisht të nevojshëm në nivelin politik e praktik.

Macron e Scholz kanë kërkuar nga Kurti gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që dërgojnë drejt progresit të dialogut.

Dy liderët i kanë dërguar një letër gjithashtu edhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Letra e plotë drejtuar Kryeministrit Kurti:

I dashur Kryeministër,

Po ua adresojmë këtë letër në një kohë vendimtare për sigurinë në kontinentin Evropian dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ne jemi të bindur që në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës na duhet të bëjmë përpjekje edhe më të fuqishme që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet e kamotshme bilaterale dhe rajonale.

Për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale.

Po u adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’u bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpijnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë.

Tensionet e kohëve të fundit kanë treguar se hapat konstruktivë në rrugën përpara janë urgjentisht të nevojshëm, në nivelin praktik dhe politik.

Prandaj, ne kemi ngarkuar me punë këshilltarët tonë të politikës së jashtme dhe sigurisë, z.Jens Plötner dhe z.Emmanuel Bonne, për të mbështetur direkt Miroslav Lajčak në përpjekjet e tij.

Propozimi ynë është, që Këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Miroslav Lajčak në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi të lëvizë përpara shpejt.

Shpresojmë shumë që kjo iniciativë do të ketë interesin dhe përkrahjen tuaj.

Sinqerisht.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit