-4.7 C
New York
Saturday, February 22, 2025

Buy now

Macron do t’i thotë Trumpit “të mos jetë i dobët” përballë Putinit

- Advertisement -

 

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka theksuar se do t’i thotë homologut të tij amerikan, Donald Trump, që të mos tregojë dobësi ndaj presidentit rus, Vlladimir Putin, pasi do ta bëjë më të vështirë përballjen me Kinën dhe Iranin.

Duke folur gjatë një seance të drejtpërdrejtë me pyetje dhe përgjigje të mbajtur në platformën e rrjeteve sociale X, Macron tha se do ta vizitojë Uashingtonin javën e ardhshme për të negociuar me Trumpin, duke shtuar se ata ndajnë të njëjtat “interesa strategjikë”.

“Unë do t’i them atij nuk mund të jesh i dobët përballë presidentit Putin. Nuk jeni ju, nuk është tipari juaj, nuk është në interesin tuaj. Atëherë, si do të jesh i besueshëm përballë Kinës nëse je i dobët përballë Putinit”, u shpreh Macron.

Ai gjithashtu iu përgjigj përshkrimit të Trumpit për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, të cilin e quajti “diktator pa zgjedhje”. Sipas presidentit francez, Zelenskyy është lideri “legjitim” i Ukrainës.

“Presidenti ukrainas u zgjodh në zgjedhje të lira, gjë që nuk është rasti me Vlladimir Putinin, i cili ka vrarë kundërshtarët e tij dhe për një kohë të gjatë manipulon zgjedhjet”, tha Macron, duke treguar vështirësitë e organizimit të zgjedhjeve në një vend ku “miliona ukrainas kanë ikur për sigurinë e tyre”.

“Ne jemi në luftë në njëfarë mënyre dhe duhet të përgatitemi për luftëra të mundshme në të ardhmen dhe t’i pengojmë ato”, shtoi ai.

Presidenti francez tha se siguria e tyre dhe interesat e Francës janë në “rrezik” derisa ShBA-ja dhe Rusia kanë filluar negociatat për konfliktin ukrainas.

“Rusia është një kërcënim për evropianët nëse vazhdon të jetë grabitqare”, tha Macron, duke përsëritur nevojën për të investuar më shumë në mbrojtjen dhe sigurinë e Evropës derisa ata po “hyjnë në një epokë të re”.

Macron gjithashtu theksoi se Franca për momentin nuk e ka ndërmend të dërgojë trupa në Ukrainë.

“Ajo që ne nuk e përjashtojmë, brenda një kornize të planifikuar, me aleatët tanë, është mundësia e të pasurit forca, të cilat, pasi të jetë negociuar paqja, mund të ndihmojnë për të garantuar sigurinë e Ukrainës”, tha ai.

Macron gjithashtu theksoi se askush “nuk ka të drejtë të thotë se Ukraina nuk ka të drejtë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian (BE) apo NATO”. Ai gjithashtu tha se më vonë do të flasë në telefon me presidentin Zelenskyy.

Liderët nga disa vende kryesore evropiane të hënën u takuan në Paris me ftesë të presidentit Macron për t’i diskutuar marrëdhëniet transatlantike, situatën në Ukrainë, bisedimet e mundshme të paqes dhe sigurinë evropiane.

Marrëdhëniet midis ShBA-së dhe Evropës janë tensionuar pasi Trumpi inicioi diskutime të drejtpërdrejta me Putinin për bisedimet e paqes në Ukrainë, duke i përjashtuar liderët evropianë.

Gjatë fundjavës, i dërguari i posaçëm amerikan për Rusinë dhe Ukrainën, Keith Kellogg, në Konferencën e Sigurisë në Mynih konfirmoi se evropianët nuk do të ftohen në bisedimet e planifikuara ShBA-Rusi mbi Ukrainën.

Duke rritur tensionet, sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Pete Hegseth, sugjeroi që vendet evropiane, në vend të ShBA-së, duhet të ofrojnë trupa paqeruajtëse në Ukrainë. Ai theksoi se çdo vendosje e tillë duhet të jetë jashtë NATO-s dhe nuk do të mbulohet nga neni 5 i klauzolës së mbrojtjes kolektive të NATO-s, duke theksuar se trupat amerikane nuk do të përfshihen në asnjë garanci sigurie./TRT Balkan.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit