Shkruan: Besa Ismaili
Një pushtet i madh i LVV-së që për vite me radhë është ushqyer me retorikën e luftës kundër korrupsionit derisa erdhi në pushtet, sot po i bien maskat e antikorrupsionit dhe po shfaqë fytyrën më kontradiktore: sapo organet e drejtësisë prekin njerëzit e saj, menjëherë shpall “montime politike” dhe viktimizim të vetes.
Çfarë panike politike!
Hetimet nuk janë proces politik, ato janë detyrë kushtetuese e prokurorisë. Dhe kur një qeveri në vend që të bashkëpunojë me drejtësinë zgjedh ta sulmojë atë, tregon qartë frikën e saj nga llogaridhënia.
Por pyetja thelbësore është kjo: Nëse qeveria e shpallë prokurorinë të kapur, si e imagjinon ajo funksionimin e shtetit? A mundet një qeveri që pretendon se ka qeverisur më së miri deri tani dhe ka reformuar sistemin, të del sot e të thotë se institucionet janë kundër saj?
Kjo qeveri po e sheh shtetin si instrument për të gjykuar të tjerët, por jo veten. Për opozitën, drejtësia duhet të jetë e pamëshirshme, por për qeverinë, papritur drejtësia bëhet “e motivuar politikisht” dhe “hibrida”.
Ky standard i dyfishtë, kjo hipokrozi, është prova më e qartë se pushteti po përpiqet të mbulojë dështimet e tij përmes narrativave të viktimizimit.
Në një demokraci, qeveria nuk mund të sillet si opozitë ndaj institucioneve të shtetit.






