Vetëm brenda një dite, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 42 mijë euro ndaj partive politike për shkelje gjatë fushatës zgjedhore.

Sipas vendimeve që ka publikuar PZAP më 19.01.2024 në faqen e saj zyrtare shihet se ankuesi i vetëm për këto raste është partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Gjoba më e lartë e shqiptuar nga PZAP në këto vendime është në vlerë prej 8 mijë euro. Ndërsa, afati për shlyerjen e tyre është 15 ditë, nga plotfuqishmëria e vendimit.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa më 19.01.2024 ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 42 mijë euro për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët.

Në ankesën e LVV-së paraqitur kundër PDK-së në PZAP, thuhet se Qendra e LVV-së në Skenderaj ka identifikuar posterin e vendosur në hapësirat publike, konkretisht në rrugën “Osman Geci”, të kandidates për deputete nga radhët e PDK, Blerta Deliu Kodra. E vlera e gjobës sipas këtij vendimi është 4 mijë euro.

Një tjetër ankesë e LVV-së është sërish kundër PDK-së në të cilën thuhet se Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj ka identifikuar posterin e vendosur në hapësirat publike, konkretisht në rrugën “Pazari i vjetër”, të kandidates për deputete nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu Kodra.Vlera e gjobës sipas këtij vendimi është 5500 euro.

Po nga LVV kanë dërguar ankesë në PZAP në të cilën bëhet e ditur se Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj ka identifikuar posterin e vendosur në hapësirat publike, konkretisht në rrugën “Pazari i vjetër”, të kandidatit për deputet nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku. Vlera e gjobës është 4 mijë euro.

Sërish LVV-ja në ankesën e saj dërguar në PZAP pretendon se më 16 janar 2025, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj ka identifikuar posterin e vendosur në hapësirat publikes, në rrugën “Osmani Geci”, të kandidatit për deputet, Mërgim Lushtaku. Vlera e gjobës është 5500 euro.

 

Edhe ankesa tjetër vjen nga LVV në të cilën pretendohet se Armend Ahmeti, punonjës në Komunën e Skenderajt dhe aktivisht i Subjektit Politik PDK, në profilin e tij në Facebook story ka postuar një video në të cilën nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku i ka quajtur aktivistët e LVV-së “Zagar”. Vlera e kësaj gjobe është 8 mijë euro.

 

LVV-ja me seli në Prishtinë është ankuar për një rast në të cilën pretendohet se kryetari i subjektit politik NISMA për Kosovën, njëherit kandidat për deputet nga koalicioni AAK-NISMA ka mbajtur tubim zgjedhor dhe takim me punonjës të Shtëpisë së Shëndetit në Malishevë “Shpëtim Robaj”, në kundërshtim me dispozitat ligjore. Vlera e gjobës është 8 mijë euro.

Në ankesën e radhës LVV-ja dërguar në PZAP pretendon se më 16 janar 2025, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj ka identifikuar posterin e vendosur në hapësirat e organeve shtetërore, në rrugën “Fadil Rrustemi”, në Skenderaj ku me këtë veprim subjekti PDK ka shkelur dispozitat e legjislacionit në fuqi. Vlera e gjobës është 3.500 euro.

LVV me seli në Prishtinë është ankuar edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës në të cilën pretendohet se më 16 janar 2025, LDK-ja ka vendosur bollboard/posterë në hapësirat e stadiumit “Shahin Haxhiislami”, në rrugën “UÇK”, në Pejë. Vlera e gjobës është 3.500 euro.

Lëvizja Vetëvendosje në një ankesë tjetër që ka dërguar në PZAP bëhet e ditur se kjo i referohet shkeljeve nga mediat, dhe në këtë rast PZAP e ka përcjell në Komisionin e Pavarur për Media për trajtim në pajtim me dispozitat e Ligjit të KPM-së.

 

 

Ndërsa, një ankesë e subjektit politik Demokracia Serbe është refuzuar nga PZAP në të cilën thuhet se ka parashtruar ankesë nga vendimeve të KQZ-së të datës 14.01.2025 duke theksuar se subjekti i tyre politik sërish nuk ka marr përfaqësuar në këshillat zgjedhore në Komunat e Zubin Potokut, Zveçan. Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot dhe Partesh.