Lëvizja Vetëvendosje po tenton ta vonojë edhe më shumë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Pas vendimit të Gjykatës Supreme për hudhjen poshtë të kërkesës së LVV-së për anulimin e votave më postë për subjektin politik Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kandidatët e saj, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka paralajmëruar tjetër ankesë.
Sallahu e ka konsideruar vendimin e Supremes si të padrejtë dhe të politizuar. Ai ka theksuar se vendimi i Supremes është një veprim i qartë politik dhe jo juridik.
“Gjykata Supreme sot ka marrë vendim që të hedh poshtë ankesën tonë në lidhje me procesin e votimin përmes postës. Pra, jemi në kohën kur Prokuroria fillon hetimet në lidhje me dyshimet e bazuara për këtë proces dhe Supremja që hedh poshtë ankesën mbi këto”, ka thënë Sallahu.
Ai ka theksuar se ka informacione të brendshme që tregojnë se diskutimi në Gjykatën Supreme ka qenë më shumë politik se sa juridik, duke sugjeruar se vendimi është marrë në një kuadër politik dhe jo të bazuar në parime ligjore.
“Kemi informacione nga brenda se diskutimi përgjatë vendimit në Supreme ka qenë kryekëput politik dhe larg të qenit juridik e ligjor, gjë që tregon pak a shumë për natyrën e vendimit.”, ka shkruar Sallahu.
Sallahu ka theksuar se si LVV janë të vendosur të vazhdojnë me hapat ligjorë për të kërkuar drejtësi.
“Si Lëvizje VETËVENDOSJE! do të ndjekim të gjitha hallkat ligjore në mënyrë që të sjellim drejtësi për këtë skemë krimi e manipulimi,” shtoi ai.
Sallahu tregoi se do të parashtrojnë kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar një masë të përkohshme ndaj “një vendimi absurd dhe të ndikueshëm politikisht.”