Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje u mblodh sot për rreth dy orë në Kuvend.
Por, urgjente nuk e kishin për ta diskutuar çështjen e presidentit, por diçka tjetër.
“Pra kuvendi i Kosovës i është kthyer rrjedhës së vet normale kjo rrjedhje është në kuadër të aktiviteteve tona normale… jo absolutisht jo tani çështja e presidentit meqë është kthyer në pikën ku ne duhet të diskutojmë me partitë politike përpjekjet tona do vazhdojnë”, ka thënë deputeti Artan Abrashi.
Megjithatë, paralajmërimet e Kurtit se do të mbledh partinë e tij për ta diskutuar çështjen e presidentit ende nuk janë konkretizuar, ndërkohë që Abrashi thotë se opozita është fajtore.
“Kurdo që do kemi një shenjë pozitive që opozita ka dalë nga bojkoti i institucioneve dhe ka gatishmërinë që me gjet zgjidhjen për presidentin ne do ta kemi emrin menjëherë pra numrat që i kemi në kuvend janë të mjaftueshme kanë qenë të mjaftueshme me zgjedh kryetaren e Kuvendit, me zgjedh kryesinë e Kuvendit me konsolidu Kuvendin me zgjedh qeverinë, dhe këtë e kemi bërë në afat rekord fatkeqësisht apo fatmirësisht nuk e kemi mundësinë me zgjedh presidenten vet”, ka shtuar Abrashi.
Për çështjen e presidentit nuk foli kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu.
E në Partinë Demokratike të Kosovës thonë se ende nuk kanë pranuar ndonjë ftesë për takim, por nuk presin ndryshime pozitive nga partia në pushtet.
“Tashmë zakonisht çdo vendim ai e zvarrit me qëllim që me ardh në fund dhe mu arsyetu se gjoja i ka fajet dikush tjetër nuk shoh ndonjë ndryshim nga kjo mendësi, dhe besoj që do vazhdojm derisa të shohim qëndrimet e tyre, e vendimet e propozimet në Kuvendin e Kosovës nuk pres ndonjë ndryshim, shihet qartë se nga fillimi nuk është i interesuar të bëjë zgjidhje”, ka thënë deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, nuk kanë pranuar të flasin, meqë thanë se janë në pritje të veprimeve nga partia në pushtet.
Deputetët e Kuvendit kanë kohë edhe pak javë për të zgjedhur presidentin e ri, pas afatit që i dha Gjykata Kushtetuese.
Çështja përfundoi në Kushtetuese pasi presidentja Vjosa Osmani kishte nxjerr dekret për shpërndarjen e Kuvendit, një ditë pas dështimit të zgjedhjes së presidentit.
Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme presidentin, meqë duhen të paktën 80 deputetë të pranishëm.






