Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti, ka kritikuar ashpër disa përkrahës të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), të cilët, sipas tij, mbajnë fotografinë e presidentit historik Ibrahim Rugova në profilet e tyre, por politikisht i shërbejnë Albin Kurtit dhe partisë së tij.
Në një reagim të shpërndarë në rrjetet sociale, Hamiti theksoi se kjo sjellje është e papranueshme dhe paradoksale, duke kujtuar se VV-ja në të kaluarën e kishte cilësuar Rugovën “kolaboracionist”.
“Mbajnë fotografi të Presidentit Ibrahim Rugova në profilet e tyre, janë rreshtuar me Albin Kurtin dhe VV-në e tij, e qortojnë LDK-në dhe japin leksione rugovizmi. Është paradoksale kjo. VV-ja e Albin Kurtit e ka quajtur kolaboracionist Presidentin Rugova, liderin historik të LDK-së dhe Atin Themeltar të shtetit tonë. Kurti dhe VV-ja nuk e kanë festuar as shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008”, shkroi Hamiti.

                                    




