Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) përmes një konference për shtyp të mërkurën ka pretenduar se sipas vendimit të Komisionit, hetimit parlamentar për subvencionimin e teksteve shkollore 2023/24 i ka kaluar mandati.
Deputetja e LVV-së, Arjeta Fejza, ka thënë se anëtarët e komisionit e kanë votuar vetë planin e veprimit në të cilin parashihej që intervistimi i dëshmitarëve të kryhej deri më 31 korrik. “Sipas dinamikës kohore të votuar nga vetë komisioni, u vendos që më 29 korrik të ishte intervistimi i dëshmitarëve”, ka thënë ajo.
Sipas Fejzës, kryesuesi i Komisionit, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, “më 26 korrik u ka dërguar email anëtarëve të komisionit që mbledhja e paraparë më 29 korrik do të zhvendosej më 9 shtator, në sesionin vjeshtor të Kuvendit për shkak se Kuvendi është në pushim, asnjë grup parlamentar nuk është duke mbajtur mbledhje dhe ka mungesë së kuorumit”.
“Më lejoni t’i theksoj tre pasaktësi: Kuvendi nuk është në pushim. Kuvendi e ka të përcaktuar me rregullore se kur shkon në pushim. Kuromi konstatohet në fillim të mbledhjes dhe jo siç ka bërë kryesuesi në emailin e dërguar anëtarëve. Grupet parlamentare ende janë duke mbajtur mbledhje”, ka thënë Fejza në konferencë për shtyp.
Fejza ka thënë se vendimi është marrë nga vetë Dreshaj, pa miratimin e anëtarëve të komisionit. Sipas deputetes, deputeti i AAK-së e ka marrë këtë vendim në kundërshtim me ligjin për hetimin parlamentar.
Në një reagim para dy ditësh, kryesuesi i Komisionit Hetimor për Subvencionimin e Teksteve Shkollore, Shemsedin Dreshaj, ka akuzuar LVV-në se po tenton të bëjë puç ndaj tij “për të fshehur manipulimet me subvencionimin e teksteve shkollore”.
“Në kundërshtim me Ligjin e me rregullore, paskan vendosur që në Komision të zgjedhin kryesuesin e zëvendëskryesuesin e Komisionit Hetimor. Por këtë të drejtë e ka vetëm Seanca Plenare e Kuvendit, o të mjerë”, ka shkruar Dreshaj në Facebook.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, më 29 korrik ka deklaruar se deputetët e partisë në pushtet do ta bllokojnë hetimin për aferën e keqpërdorimit të parave për blerjen e teksteve shkollore. Ai ka shkruar se ata e kanë zëvendësuar kryetarin dhe zëvendëskryetarin e Komisionit Hetimor për këtë aferë, “nga radhët e opozitës e të cilët i ka zgjedhur Kuvendi”.
Në vitin shkollor 2023/24, prindërit ua blenë vetë librat fëmijëve e më pas aplikonin për t’i marrë paratë nga Ministria e Arsimit, sipas vendimit të dikasterit të udhëhequr nga Arbërie Nagavci. Kjo nxiti pakënaqësi e reagime nga opozita.