Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj zërave për formimin e një qeverie opozitare pas zgjedhjeve.
Përmes një postimi në Facebook, Haziri ka thënë se LDK ka pasur gjithmonë “zot shtëpie” dhe ka lënë rendin e shtëpisë, duke nënkuptuar se partia ka një kulturë të konsoliduar politike.
Sipas tij, kjo kulturë dhe rendi i brendshëm i LDK-së e sollën Lumir Abdixhikun në krye të partisë, duke e mbajtur atë në “rendin e shtëpisë”.
Haziri vlerësoi fushatën e partisë si një “parafushatë të jashtëzakonshme” dhe një “proces fushate shembullor”, që solli një standard të ri në politikë.
Ai gjithashtu shtoi se “pa LDK-në as nuk shkaktohen procese dhe as nuk mbyllen procese”.
Haziri kërkoi nga qytetarët durim, duke thënë se LDK respekton vullnetin e tyre dhe se Kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, do të udhëheqë partinë në fazën e tretë të procesit zgjedhor, atë paszgjedhore.
“Koha për durim!”, tha ai.
Postimi i plotë:
LDK ka pasur zot shtëpie dhe ka lënë rend shtëpie.
Ky rend shtëpie dhe kultura jonë politike e solli Lumir Abdixhikun në krye të LDK-së, i cili e mban rendin e shtëpisë.
LDK, me Lumirin në këtë proces, organizoi parafushatë të jashtëzakonshme, proces fushate shembull dhe solli në ditën e zgjedhjeve standard të ri në politikë.
Pa LDK-në as nuk shkaktohen procese dhe as nuk mbyllen procese.
LDK respekton vullnetin qytetar dhe në mënyrë të përgjegjshme e pret Kryetarin e saj me na udhëheq në pjesën e tretë të zgjedhjeve, atë paszgjedhore.
Koha për durim!