Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur lidhur me lëndën e LDK-së në Gjykatën Kushtetuese në raport me zhvillimet në tri seancat e fundit në Kuvend.
Ai ka thënë se lënda ka të bëjë me insistimin e kryesuesit për themelimin e komisionit ad hoc për votim të fshehtë, duke theksuar se kjo është në kundërshtim me frymën dhe aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Kjo është ajo që besojmë se do ta tejkalojë ngërçin, duke qenë shumë i qartë në interpretim edhe nga Gjykata Kushtetuese, duke e njohur natyrën e kësaj gjykate, e cila në pyetje konkrete sjell një përgjigje konkrete. Përkundër që e kanë dhënë një mendim – dhe mendimi është shumë i zbardhur – komentimi nga vet kryeministri në detyrë, i cili paradite është kryeministër në detyrë, masdite është deputet, ose së paku çdo 48 orë sillet si deputet e më pas si kryeministër në detyrë, po vazhdon të mirëmbajë krizën politike, të cilën e ka dizajnuar për konsum të brendshëm, fatkeqësisht,” ka thënë ai në RTV Dukagjini.