![Lushtaku: Qeveria po shkakton pasiguri dhe frikë tek qytetarët Lushtaku: Qeveria po shkakton pasiguri dhe frikë tek qytetarët](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2023/04/Screenshot_20230406_204454_Chrome.jpg)
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka kritikuar punën dy vjeçare të Qeverisë Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Ai i ka bërë thirrje kryeministrit të vendit, Albin Kurtit, që t’iu kërkojë falje qytetarëve për vështirësitë që po ua sjellë me politikat e saj.
Në fjalën e tij, Lushtaku ka thënë se po vazhdon rritja e çmimeve e produkteve të nevojshme për jetesën, ndërsa Ligji i Pagave po krijon rrëmujë dhe vështirësi për qytetarët. Ai gjithashtu ka kritikuar mënyrën sesi pushteti po qeverisë derisa qytetarët po përballen me borxhe dhe kreditë e qytetarëve.
“Tek ne po vazhdon rritja e çmimeve me gjërat jetike, kur kësaj i shton edhe rrëmujën e shkaktuar me Ligjin e Pagave. Po bëni lojë me durimin e njerëzve të cilët kanë borxhe, kredi dhe si rezultat kanë vështirësi për të jetuar me një kosto të jetës mbi 50 për qind. Kjo qeveri me paditurinë e saj për politikat e mirëfillta, për zhvillim ekonomik, me paditurinë e saj për të hartuar plane sesi duhen të reagojë në situata të vështira, ka shkaktuar pasiguri dhe frikë tek qytetarët si do të jetë e nesërmja për ata”, pohoi Lushtaku.