Nënkryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka folur për situatën e krijuar së fundmi në këtë komunë pas vërshimeve të mëdha si rezultat i reshjeve të dendura.
“Gjendja e rëndë paraqitet në gjithë rrjedhën e lumit Klina, duke filluar nga Kuqica, Klina e Epërme, Klina e Mesme, Klina e Poshtme, pjesa e qytetit në lagjen Murtezaj, në zonën pranë rrugës “Ilaz Kodra”, në lagjen 4, në Llaushë, Tushilë, Kopiliq, Kllodernicë, Turiqefc, Aqarevë e disa zona të tjera të prekura”, bëri të ditur Lushtaku me anë të një postimi në Facebook.
Lushtaku tha se ka dëme të jashëzakondshme financiare në prona publike e private, në ekonomi familjare e në biznese, shkruan lajmi.net.
Më tej ai tha se fati i mirë është se nuk ka të vdekur, dhe ekipet e emergjencës pa pushim po vazhdojnë t’u japin ndihmë familjeve në nevojë.
Në fund ai tregoi se 11 komisione për vlerësimin e dëmeve kanë konstatuar se dëmet janë me dhjetëra miliona.
Madje, Lushtaku tha se përjashto luftën, kjo është njëra ndër situatat më të vështira që ndonjëherë ka përjetuar ky qytet i rajonit të Drenicës.
Postimi i plotë:
Asnjëherë nuk e mbaj mend Skenderajn të zhytur në ujë e të vërshuar kështu. Përjashto luftën, kjo është situata ndër më të vështirat për ne dhe qytetarët tanë. Gjendje e rëndë paraqitet në gjithë rrjedhën e lumit Klina, duke filluar nga Kuqica, Klina e Epërme, Klina e Mesme, Klina e Poshtme, pjesa e qytetit në lagjen Murtezaj, në zonën pranë rrugës “Ilaz Kodra”, në lagjen 4, në Llaushë, Tushilë, Kopiliq, Kllodernicë, Turiqefc, Aqarevë e disa zona të tjera të prekura.
Ka dëme të jashtëzakonshme financiare në prona publike e private, në ekonomi familjare e në biznese. Fati më i madh në këtë rast është që nuk ka asnjë viktimë në njerëz, kurse po bëjmë punë pa ndalë me të gjitha ekipet, me shtabin emergjent, zjarrëfikësit, me kompani private e njerëz të vullnetit të mirë dhe me 11 komisionet për vlerësimin e dëmeve, të cilët janë në terren për të vlerësuar dëmet e shkaktuara, vlera e të cilave në bazë të të dhënave preliminare konsiderohet të jetë dhjetëra miliona euro.
Jemi bashkë me qytetarët në këtë situatë të jashtëzakonshme, e cila kërkon angazhim, bashkëpunim por dhe durim për ta tejkaluar atë. Bashkë do ta kalojmë edhe këtë sfidë ashtu si çdoherë tjetër. Bashkë do ta rindërtojmë Skenderajn!
SL
https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=732769964886910&id=100044617381014&mibextid=Nif5oz