Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka kritikuar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, që nuk po merr pjesë në seancën e thirrur nga opozita ku po diskutohet për Policinë e Kosovës dhe rezolutën e propozuar.
“Sot do të duhej të ishin edhe deputetët e shumicës, edhe Qeveria e Kosovës, për këtë debat. Ne si opozitë kemi tejkaluar veten për të mirën e shtetit tonë, për sigurinë e vendit. Çdo herë kemi treguar unitet, kemi tejkaluar veten për të mirën e vendit, gjë që nuk po tregon shumica në Kuvend”, u shpreh Lushtaku.
Lushtaku ka thënë se pozita do të duhej të ishte e pranishme patjetër sot në Kuvend.
“Nuk e kemi debatin për korrupsionin, nuk e kemi debatin as për hajnitë e rezervave shtetërore, as për shumë keqpërdorime, por kemi debat për policinë dhe shumica po abstenon”, tha ai.
“Misioni i Policisë është mbrojtja e vendit, ndërsa e Qeverisë duhet edhe mbrojtja por edhe interesimi për ta”, tha tutje Lushtaku, derisa ka bërë thirrje për reflektim.