Ish-eprori i UÇK-së, UK Lushi, i cili jeton dhe vepron në ShBA, e ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

Ai ka vlerësuar se Kurti është shqiptari më i padijshëm që ka njohur në jetën e tij.

Duke komentuar veprimin e Kurtit që sot ka vendosur gurthemelin e objektit për banim të përballueshëm në Podujevë, ai ka thënë se kjo politikë e qeverisë nuk ka logjikë.

Sipas tij, Kurti nuk ka haber as me qeverisje e as me menaxhim.

Albin Kurti është shqiptari më i padijshëm që kam njohur në jetën time. Ky njeri, që nuk ka pasë punë tjetër përpos politikës gjatë gjysmë shekulli prej kur ka lindur, nuk ka haber as me qeverisje e as me menaxhim. Ky injorant është duke i kushtuar kombit shqiptar miliarda me padijeninë e tij të thellë të alokimeve të gabuara të buxhetit dhe djersës së qytetarëve të Kosovës. Siç e dinë tashmë edhe fëmijët, Republika e Kosovës i ka 182 000 banesa të pabanuara dhe nën dry. Në vend se të vendosë taksim për këto banesa, çfarë do të debllokonte relacionin natyror ofertë-kërkesë në tregun e banesave, i pamësuari Kurti çohet dhe do të ndërtojë edhe më shumë banesa apo gjoja banesa të përballueshme ku pronar do të jetë shteti gjegjësisht taksapaguesit. Banesa këto që do të krijojnë enklava të parazitizmit dhe varfërisë, në vend se këta banorë të incentivizohen dhe stimulohen të punojnë dhe blejnë banesat ku dhe si duan vetë”, ka shkruar Lushi.

Ai e ka ftuar kryeministrin Kurti që të ndryshojë qasje.

“Njerëzit nuk duan lëmoshë nga shteti, por duan mundësi dhe punë. Duan zhvillim dhe treg të lirë ku qindra mijëra shqiptarë nga Diaspora kanë marrë peng sektorin e patundshmërive duke bërë mbi 10 miliardë euro kapital të vdekur. Albin injoranti, nëse do të ndihmosh të rinjët, çiftet dhe pensionistët, takso banesat që nuk banohen më shumë se 6 muaj në vit dhe të gjitha grupet do të mund të kenë banesat e veta pa pretenduar ti se po jep sadaka dhe ndërkohë krijon qytetarë të varur! Jemi me fat shumë të keq që e kemi alokues të parave tona një populist teveqel. Zoti e ndihmoftë dhe çliroftë Kosovës sa më shpejt nga ky i padijshëm!”, ka shkruar Lushi.