Në një mbrëmje në Amfiteatrin e Gërmisë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar rikandidimin e Përparim Ramës për kryetar të Prishtinës.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një fjalim para qytetarëve, e cilësoi këtë moment si fillimin e një rruge të re për kryeqytetin.
“Katër vite më parë e nisëm si të panjohur, sot kthehemi me vepra, me projekte, me vizion, me zemër të hapur dhe me duar të pastra,” tha Abdixhiku.
Ai theksoi se Prishtina ka nisur të shndërrohet në një qytet të modeluar për të ardhmen, me projekte infrastrukturore që nuk mund të ndalen më, me shkolla të mësimit tërëditor që po bëhen standard për gjithë rajonin, dhe me planifikim urban që i jep shpirt qytetit.
Sipas Abdixhikut, “ndryshimi nuk është më shpresë – është realitet”, dhe këtë realitet po e sheh çdo qytetar në çdo lagje të kryeqytetit.
Ceremonia mblodhi qytetarë të shumtë nga të gjitha moshat, të cilët, siç u tha nga organizatorët, janë dëshmia më e fortë e besimit që Prishtina ka ndërtuar gjatë këtij mandati.
“Le të fitojmë!” ishte mesazhi final i Abdixhikut, i shoqëruar me duartrokitje të gjata nga të pranishmit.