Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas vdekjes së Have Malokut, gruaja e ish-veprimtarit të LDK-së, Enver Malokut.
Abdixhiku ka thënë se “zonja Havë ishte një grua e fortë”, duke shtuar se ishte e dashur, e buzëqeshur dhe një zonjë e rëndë.
Ai tutje ka thënë se ajo ishte përplot dritë e mirësi.
Postimi i plotë:
Zonja Havë ishte një grua e fortë!
Asaj, barra e orëve të rënda, i kishte përcaktuar fatin e gjetjes së forcës përtej humbjes së madhe. Dhe këtë forcë e kishte gjetur mu siç dinte ajo, duke qenë e dashur, e buzëqeshur – duke qenë një zonjë e rëndë!
Hava Maloku na la sonte. Me të u shua dhe një copëz e historisë së takimeve për çdo 11 janar. Ishte përplot dritë e mirësi. Këtë vit, kishte gjetur forcën të ngrihej nga shtrati i fundit i saj, për të shpalosur bashkë me ne pllakën e portretin përkujtimor të Enverit, bashkëshortit të vrarë në 11 janarin e vitit të lirisë. E dinim, të gjithë, se ky duhej të ishte takimi ynë i fundit. E sado që ishte vështirë, e dinim të gjithë, ne dhe ajo, se ky duhej të ishte kujtimi e kuptimi i fundit nga kjo shtëpi e demokracisë. Pimë kafen bashkë, e përcollëm bashkë. Na la me përplot buzëqeshje. Siç bënte përherë!
E dashura Doruntinë, i dashuri Drin e Lon, në emër të gjithë anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ngushëllime për humbjen e nënës suaj. Bëhuni të fortë, siç u bë ajo kur kishit nevojë për të!
Zonja Havë, bashkohu në parajsën e pasosur me Enverin që aq shumë e deshe e të mungoi!