Ish-deputeti, Nezir Çoçaj, ka ndarë njē mesazh emocional për shokun e tij, të ndjerin Lumni Lushaj, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident trafiku, shkruan Scanner.
Nezir Çoçaj, ka ndarë një mesazh prekës kujtimi për mikun e tij të ngushtë, Lumin, duke e përshkruar jo vetëm si shok jete, por si bashkudhëtar në ideale, përkushtim dhe shërbim ndaj të tjerëve.
Ai thekson se humbja e Lumit është e rëndë, veçanërisht për shkak se ndarja e tij nga jeta ndodhi pikërisht duke ndjekur idealin që e kishte udhëhequr gjithmonë – t’u shërbente të tjerëve pa kushte dhe pa llogari personale.
“Që nga ajo ditë, çdo mëngjes zgjohem me një boshllëk që nuk mbushet, por edhe me një përgjegjësi që nuk më lejon të ndalem,” shprehet Çoçaj, duke shtuar se çdo hap i tij në të ardhmen do të jetë edhe në emër të Lumit.
Sipas tij, ka rrugëtime që nuk përfundojnë me vdekjen, por vazhdojnë përmes mënyrës se si jetojmë, punojmë dhe e mbajmë fjalën. Ai premton se këtë rrugë do ta vazhdojë me dinjitet, përkushtim dhe përgjegjësi, ashtu siç do ta donte Lumi.
Postimi i plotë:
Ka dhimbje që nuk kërkojnë fjalë të mëdha.
Vetëm heshtje, nderim dhe kujtim.
Lumi nuk ishte thjesht shoku im.
Ishim bashkë që fëmijë në lojë, në rrugëtime e në mendime, por më së shumti në ideale.
U rritëm bashkë, u formuam bashkë dhe besuam bashkë se ky vend mund të bëhet më i mirë, nëse secili jep aq sa di dhe aq sa mundet.
Jeta na vuri në shumë sprova, por gjithmonë i kaluam krah për krah.
Deri në atë ditë kur të dy morëm rrugë bashkë, pikërisht duke ndjekur një ideal të përbashkët bëmirësie.
Ishim aty jo për vete, por për të tjerët, ashtu siç kemi qenë gjithmonë.
Fati vendosi që unë të mbetem, ndërsa Lumi të ikë.
Mënyra se si u nda nga jeta e bën edhe më të rëndë humbjen, sepse ishte e lidhur me arsyen pse ai jetoi:
për t’u shërbyer të tjerëve, për të dhënë pa llogari dhe për të vënë gjithmonë të tjerët përpara vetes, edhe kur kjo kërkonte sakrificë personale.
Që nga ajo ditë, çdo mëngjes zgjohem me një boshllëk që nuk mbushet.
Por edhe me një përgjegjësi që nuk më lë të ndalem.
Dhimbja për humbjen e Lumit jo vetëm që më ka thyer, por po më bën çdo ditë edhe më të vetëdijshëm për peshën e çdo hapi.
Gjithçka që do të bëj tutje, do ta bëj një herë për vete dhe një herë për Lumin.
Lumi do të mbetet frymëzim, udhërrëfyes i heshtur për çdo vendim që kërkon ndershmëri dhe përgjegjësi.
Ka rrugëtime që nuk mbarojnë me vdekjen.
Vazhdojnë në mënyrën si jetojmë, si punojmë dhe si e mbajmë fjalën.
Këtë rrugë do ta vazhdoj me dinjitet, përkushtim dhe me shumë përgjegjësi, sepse kështu do ta donte Lumi.






