Berisha tha se, përkundër energjisë dhe momentit të shkëlqyer që ka krijuar Kombëtarja gjatë muajve të fundit, po shfaqen pengesa dhe protagonistë artificialë që përpiqen të minojnë organizimin dhe moralin e ekipit.
“Zëra që nuk kanë qenë kurrë aktorë relevantë në futboll përpiqen përmes intrigave të marrin rolin e protagonistëve,” tha ai, duke shtuar se në këtë maskaradë nuk mungon edhe ndërhyrja e mekanizmave shtetërorë, që sipas tij, kontaminojnë publikun me negativitet para grumbullimeve të rëndësishme.
Berisha bëri thirrje për bashkim dhe mbështetje për Kombëtaren:
“Ky pluhur artificial është i pafuqishëm për të ndalur rrugëtimin historik që ka nisur dhe që do të kulmojë me valimin e flamurit të Republikës në SHBA gjatë qershorit. Vazhdojmë bashkë dhe të pathyeshëm drejt qëllimit kryesor: pjesëmarrja në Kupën e Botës 2026!”
Deklarata e tij vjen në një moment kyç për Kombëtaren e Kosovës, që synon të përmbushë ëndrrën historike të pjesëmarrjes në turneun më të madh të futbollit botëror.






