Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan do të nderojë nesër (e premte) me çmimin “Doctor Honoris Causa”, anëtarin e Parlamentit Evropian, Lukas Mandl. Ky organizim do të mbahet nga ora 15:00 në sallën e teatrit të qytetit të Gjilanit.
Prorektori i këtij Universiteti, Dukagjin Leka ka thënë për Demokracia.com se Senati i Universitetit Publik “Kadri Zeka” ka vendosur për t’i dhënë titullin Doktor Honoris Causa, deputetit austriak në Parlamentin Evropian, Z. Lukas Mandl për përkushtimin e tij për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane si dhe për shumë çështje tjera.
“UKZ-ja është e nderuar me një vendim të tillë, i cili titull jepet vetëm për personalitete që kontribuojnë shumë për diplomacinë, paqen, politikën, shoqërinë, kulturën, arsimin e kështu me radhë, e për të cilat z. Mandl njihet për të gjitha këto kontribute në favor të Kosovës”, ka thënë Leka.
Leka tha se Mandl do të mbajë dhe një ligjëratë para studentëve në amfiteatrin e këtij fakulteti.
Ai tha se ky nderim do t’i bëhet me nismën e Këshillit të Bizneseve të Rajonit të Gjilanit, kryetar avokat Arsim Vranovci.
Sipas vendimit të Senatit titulli i nderit i jepet me këtë motivacion; për kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve njerëzore, në mbështetje dhe konsolidimin e paqes në Kosovë, në rajon dhe me gjerë, për kontribut në proceset shtetformuese të Republikës së Kosovës, për kontribut në avokimin e kauzës së Republikës së Kosovës në Parlamentin Evropian, në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian, në përgjithësi, për mbështetje të pakursyer dhe avokim për njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, për përpjekjet e vazhdueshme si raportues për Republikën e Kosovës në Parlamentin Evropian dhe në Partinë Popullore Evropiane (EPP), për kontribut në themelimin e Shoqatës se Miqësisë Austriako-Kosovare dhe për kontribut në fushën e kulturës e të medias për përhapjen e të vërtetës së Kosovës.